Matura Shtetërore, hyn në fuqi udhëzimi i Ministrisë për datat e provimeve për vjeshtën

Bëjeni Share që të informoni shokët:

Share-512.png

Ministria e Arsimit ka shpallur datat për ata që rezultojnë mbetës, qoftë në lëndë shkollore, apo në një prej testimeve me detyrim apo me zgjedhje.

Sipas udhëzimit nr.16, të publikuar tashmë në Fletoren Zyrtare sesioni i dytë nis më 27 gusht me provimin e gjuhës së huaj, për të vijuar tri ditë më pas me gjuhën shqipe e letërsinë, matematikën në datën 3 shtator, si dhe dy provimet me zgjedhje në datën 7.

TESTIMET

Të drejtë për t’u rifutur në provimet e vjeshtës, sipas udhëzimit të MASR, e kanë katër kategori nxënësish. Të parët janë ata që rezultojnë mbetës në një ose disa provime të sezonit që do të zhvillohet në muajin qershor.

Gjithashtu, mund të futen edhe ata që nuk arrijnë të kalojnë vitin shkollor 2017- 2018, për shkak se rezultojnë mbetës në një ose dy lëndë. Por, sezoni i dytë nuk është vetëm për mbetësit. Pjesë e tij mund të jenë edhe maturantët e vjetër, të cilët kanë përfunduar shkollën e mesme para vitit 2017 dhe nuk kanë shlyer detyrimet e Maturës Shtetërore, si dhe ata që kanë përfunduar gjimnazin jashtë vendit, pasi të kenë njehsuar dokumentet shkollore nga Ministria e Arsimit.

Të katër kategoritë e mësipërme, për të qenë pjesë e sezonit të dytë të provimeve, nevojitet që më parë të kenë plotësuar formularin A1Z. Teksa mbetësit e këtij viti e kanë shumë të lehtë këtë proces, dy kategoritë e fundit duhet të drejtohen në shkollën ku kanë përfunduar gjimnazin ose atë që u cakton Drejtoria Arsimore për të plotësuar formularin e caktimit të lëndëve me zgjedhje në datat 21-23 gusht.

UDHËZIM
Nr. 16, datë 7.5.2018
PËR ORGANIZIMIN E PROVIMEVE
TË MATURËS SHTETËRORE 2018,
SESIONI I DYTË
Në mbështetje të nenit 102 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, të nenit 26, pika 2, shkronja “a”
dhe 51, të ligjit nr. 69/2012, datë 21.6.2012, “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e
Shqipërisë”, të ndryshuar,
UDHËZOJ:
1. Lëndët dhe datat e provimeve të Maturës Shtetërore 2018, sesioni i dytë, të jenë:
a) Gjuhë e huaj (D3) 27 gusht 2018;
b) Gjuhë shqipe dhe letërsi (D1) 30 gusht 2018;
c) Matematikë (D2) 3 shtator 2018;
d) Provime me zgjedhje (Z1/Z2) 7 shtator 2018.
2. Provimet e Maturës Shtetërore 2018, sesioni i dytë, të fillojnë në orën 10:00.
a) Provimet e lëndëve me detyrim të zgjasin 2 orë e 30 minuta.
b) Provimet e lëndëve me zgjedhje të zgjasin 3 orë.
3.Administrimi dhe procedurat për shpërndarjen dhe grumbullimin e materialeve të provimeve të
Maturës Shtetërore 2018, sesioni dytë, bazohen në Rregulloren e Maturës Shtetërore 2018, miratuar me
urdhrin nr. 672, datë 29.12.2017, të ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë.
4. Testi për secilin nga provimet e detyruara të përmbajë 25 pyetje, nga të cilat 13 pyetje të jenë me
përgjigje alternative dhe të vlerësohen me 13 pikë, ndërsa 12 pyetje të jenë me zgjidhje dhe të vlerësohen
me 37 pikë.
5. Testi për secilin nga provimet me zgjedhje të përmbajë 20 pyetje, nga të cilat 10 pyetje të jenë me
përgjigje alternative dhe të vlerësohen me 10 pikë, ndërsa 10 pyetje të jenë me zgjidhje dhe të vlerësohen
me 30 pikë.
6. Maturantët që kanë vetëm një provim me zgjedhje, të hyjnë në provim në orën 11:00 dhe ta
përfundojnë atë në orën 13:00.
7. Në provimet e Maturës Shtetërore 2018, sesioni i dytë, do të marrin pjesë:
a) Maturantët/kandidatët që rezultuan mbetës në një ose më shumë provime të Maturës Shtetërore
2018, sesioni i parë.
b) Maturantët që rezultuan mbetës në një ose dy lëndë në vitin shkollor 2017–2018 dhe i shlyejnë
provimet shkollore brenda datës 22 gusht 2018.
c) Kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme para vitit 2017, por që nuk kanë shlyer detyrimet
e Maturës Shtetërore.
d) Kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme jashtë vendit dhe kanë të njësuar dokumentet
shkollore nga MASR-ja.
8. Maturantët/kandidatët e përcaktuar në pikën 7, germa “a” dhe “b”, të plotësojnë formularin A1Z
për dhënien e provimeve të sesionit të dytë të Maturës Shtetërore.
9. Kandidatët/kandidatët e përcaktuar në pikën 7, germa “c” dhe “d”, të regjistrohen në shkollën ku
kanë përfunduar arsimin e mesëm ose në shkollën që u cakton DAR/ZA-ja e vendbanimit të tyre. Këta
kandidatë të plotësojnë formularin A1Z në datat 21–23 gusht 2018.
10. Drejtori i shkollës të dërgojë zyrtarisht në DAR/ZA listën e kandidatëve që do të marrin pjesë në
provimet e Maturës Shtetërore 2018, sesioni i dytë, deri më 23 gusht 2018. Drejtori i DAR/ZA-së ta
dërgojë këtë listë në QSHA në datën 24 gusht 2018.
11. Provimet të zhvillohen të përqendruara në drejtoritë arsimore rajonale. ZA Tropojë, ZA Lushnjë
dhe ZA Sarandë t’i zhvillojnë provimet në qytetet e tyre. ZA Delvinë t’i zhvillojë provimet në qytetin e
Sarandës.
12. Drejtoritë arsimore rajonale dhe drejtoritë e shkollave të marrin masa për njoftimin e
maturantëve/kandidatëve për datat, mjedisin dhe orën kur do të zhvillohet secili nga provimet e Maturës
Shtetërore 2018, sesioni i dytë.
13. Drejtori i DAR/ZA-së, brenda datës 20 gusht 2018, të njoftojë zyrtarisht QSHA-në për mjedisin
ku do të zhvillohen provimet e Maturës Shtetërore 2018, sesioni i dytë.
14. Në DAR ku numri i maturantëve/i kandidatëve është më i madh se 500, të përdoren 2 mjedise.
15. Monitorimi dhe administrimi i procesit të Maturës Shtetërore 2018, sesioni i dytë, të kryhet nga
përfaqësuesit e MASR-së dhe të institucioneve të varësisë.
16. Shpenzimet e përfaqësuesve të MASR-së, në monitorimin e provimeve të Maturës Shtetërore 2018,
sesioni i dytë, të përballohen nga institucionet përkatëse, sipas dispozitave në fuqi.
17. Ngarkohen për zbatimin e këtij udhëzimi Sekretari i Përgjithshëm, Drejtoria e Programeve të
Zhvillimit të Arsimit, Rinisë dhe Sporteve, Drejtoria e Financave, Qendra Shërbimeve Arsimore,
Inspektorati Shtetëror i Arsimit, Instituti Zhvillimit të Arsimit, njësitë arsimore vendore dhe shkollat.
Ky udhëzim hyn në fuqi pas botimit në Fletore Zyrtare.

Bëjeni Share që të informoni shokët:

Share-512.png

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *